Ekipi i #shkëndija në datë 27 Gusht nisi takimet on site me pjesëmarrësit e programit për 2024. Vizita e parë u realizua në Martanesh në shkollën e Mesme të Bashkuar “Jani Fullani”, ku u mikëpritëm nga drejtoresha Morena dhe nxënës të klasave të ndryshme, të cilët kishin ardhur për të ndarë idetë e tyre mbi dizenjimin e oborrit të shkollës.
Shkolla e Mesme e Bashkuar “Jani Fullani” frekuentohet nga 130 nxënës, nga klasa e parë në klasë të 12, të cilët kërkojnë një park ku mund të shpenzojnë kohë dhe argëtohen në pushimin e gjatë. Kështu, vizita kishte për qëllim takimin me nxënësit, diskutimin dhe mbledhjen e ideve, se si e imagjinojnë ata oborrin para shkollës, si edhe realizimin e matjeve për të krijuar një masterplan. Hartimi i masterplanit është hapi i parë për ti dhënë jetë ideve dhe ëndrrës së nxënësve për të pasur një hapësirë të gjelbërt dhe argëtuese në shkollën e tyre.
Programi #shkëndija është pjesë e projektit “SPARKs: Mbështetja e Aktivizmit Qytetar dhe Nismave Avokuese në Shqipëri”, zbatuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit me mbështetjen financiare të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, si pjesë e programin “Ngritja e Kapaciteteve të Shoqërisë Civile”.