Kush janë Art Club Amare?

Një reflektim për realizimin e gjërave që dëshironi të bëni.

Komuniteti ku jetojmë përballet me problematika të ndryshme të cilat kanë nevojë të zgjidhen. Kështu erdhi dhe Art Club Amare për gjimnazin ‘Rifat Mnjani’ , një klub ku të rinjtë mund të zhvilloni talentet e tyre në pikturë, qëndisje dhe zeje.  Por jo vetëm, të shërbenin  dhe si një zë i të rinjve për problemet nga të cilat preken ata dhe komuniteti.

Gjithçka nisi me marrjen  pjesë në programin e UpShift ku fituam me idenë e krijimit të një klubi për arte. Buxheti që fituam  në këtë program e konkretizoi  me materialet e nevojshme  për punimet. Sigurisht kjo ishte veç fillimi i asaj që kishim përpara.  Pasi një sfidë më e madhe na priste, ajo e vazhdimësisë së ekzistencës së klubit. Prandaj duhet të mendonim se si mund të vetëmbanim atë.  Dolëm në konkluzionin se më e mira ishte që punimet të shiteshin dhe të ardhurat ndërkohë të përdoreshin për materiale dhe kauzat. 

Menjeherë pas krijimit të klubit, nisën punimet e para të cilat do t’i paraqiteshin në një ekspozitë. Shoqata e Natyrës dhe Turizmit në Bulqizë ishte partneriteti i parë me të cilën vendosëm që në ekspozitë të realizonim punime të vendeve turistike të zonës Bulqizë.  Kjo ekspozitë sherbeu që komuniteti të njihej me talentet e të rinjve por dhe promovimin e vendeve turistike të zonës.

Kjo ekspozitë ishte nisma e parë e shumë të tjerave më vonë si aktivitete, panaire ,ekspozita  dhe veprimtari të ndryshme. Jemi bërë pjesë që në nisje të operimit si klub në  Dita Kombëtare e Aktivizmit , Javën Amerikane dhe panaire lokale e kombëtare. Por dhe kemi krijuar aktivitete të ndryshme ku prej tre vitesh organizojmë Ditën e Verës.  Përgjatë këtij aktivizmi, ne jemi të lumtur të themi që tashmë kemi shumë individ, organizata, njësia bashkiake dhe bizneset lokale të cilat na mbështesin,

Falë këtij aktivizmi, takimi me njerëz të rinj bëri që të kemi mbështetës edhe në nivel ndërkombëtar.  Oak House , në Amerikë i bëri punimet tona pjesë të web-it të tyre  duke ndihmuar njëkohësisht në promovimin dhe shitjen e punimeve në pikturë dhe zeje. Sigurisht kjo për ne ishte diçka vertetë e madhe.

Një ndër pjesëmarrjet më të rëndësishme që si klub kemi pasur, është marrja pjesë në programin #shkëndija, të ofruar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit me mbështetjen e Zyrës për Marrëdhenie me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Këtu arritëm të mësojmë gjëra të reja se si klubi mund të kontribuojë akoma dhe më shumë në komunitet. Nisma në këtë program ishte që klubi të arrinte të ndihmonte të rinjtë me nevoja të veçanta me disa materiale. Kjo nismë dhe realizimi i saj ka qenë ndër eksperiencat më të mira përgjatë përvojës sonë. Krahas nismës, arritëm të ndihmojmë dhe dy shkolla 9-vjeçare me materiale punimesh për pikturë dhe zeje.  

Ato që na kanë bërë të lumtur nuk ka qenë vetëm në materiale. Lumturi ka qenë teksa shihnin realizimin e kauzave, të shihnim  punimet teksa hyje në biznese të ndryshme,në shtëpitë e njerëzve , në njësin bashkiake e administrative, teksa dëgjojmë Ministren e Shtetit për Fëmijët e të Rinjtë, Bora Muzhaqi të urojë vitin e ri me punimet tona. Edhe ju mund të realizoni ëndrrat e tua për jetën tuaj. Mjafton aktivizmi, këmbëngulja , vullneti për punë, bashkëpunimet. Gjithçka ju duhet është një shkëndijë.

Scroll to Top